Kurti: Festivali i Jazz-it po bashkon të dy anët e Mitrovicës – nuk mund ta cenoj askush

Kurti: Festivali i Jazz-it po bashkon të dy anët e Mitrovicës – nuk mund ta cenoj askush

Ndonëse një grup qytetarësh serbë protestuan pranë skenës së vendosur në qendër të Mitrovicës së Veriut gjatë edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz”, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij gjatë hapjes së festivalit, theksoi se kjo ngjarje kulturore po zhvillohet në të dyja anët e lumit Ibër.

“E tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor,” tha ai.

Kurti vlerësoi se “Mitrovica International Jazz Days” bashkon dimensionin ndërkombëtar dhe universal të muzikës, por edhe veçantinë e zhanrit të Jazz-it.

Me nëntë koncerte dhe pjesëmarrje të artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, ai theksoi se ky edicion sjell një kombinim të veçantë midis talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes lokale, duke bërë që publiku ta ndjekë me entuziazëm dhe ta bëjë festivalin pjesë të natyrshme të qytetit.

“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor. Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë të mbështesë këtë festival të Mitrovicës dhe të gjitha iniciativat që fuqizojnë jetën kulturore në vendin tonë. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, e mirëkuptim, dhe mjedis për të gjithë njësoj”, tha ai.

“Urime për këtë edicion të suksesshëm. Uroj që Mitrovica International Jazz Festival të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë muzikë ditën dhe natën, më shumë bashkëpunim gjithandej dhe më shumë mundësi për vetë Mitrovicën dhe mbarë Kosovën”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Related Articles