Kurti flet për “Der Standard”, shpalos detaje për planin franko-gjerman dhe Asociacionin

Kurti flet për “Der Standard”, shpalos detaje për planin franko-gjerman dhe Asociacionin
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia nuk është aspak e interesuar për një marrëveshje kornizë për Kosovën.

Kurti deklaroi se Kosova nuk është vend shumë i madh, por është shembull i mrekullueshëm se si biznesi dhe demokracia mund të shkojnë paralelisht.

“Ne duhet të ndajmë këtë përvojë me serbët tanë në Kosovë. Unë jam për mundësitë e barabarta, ligjin dhe rendin , ndarjen në shoqëri në tërësi-pa marrë parasysh se çfarë etnie, feje, moshe apo gjinie ka një person. Prandaj do të prezantoj një masë të re: Një subvencion për punëdhënësit që prezantojnë një mjedis multietnik dhe multikulutror për punëtorët. Sipërmarrësit privat do të marrin stimuj financiarë nëse punësojnë punëtorë të pakicave”,tha kryeministri Kurti për median austriake, Der Standard.

Tutje i pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se sa i përket situatës së krijuar në veri të vendit, nga ku edhe dhanë dorëheqje shumë zyrtarë policorë tashmë janë rihapur pozitat dhe se nuk kanë ndërmend të zëvendësojnë këta serbë me shqiptarë.

“Një mision do të vendos se kush do të pranohet. Nuk dua të përjashtoj personat që kanë dhënë vetë dorëheqje, por nuk i bëj thirrje të kthehen sepse dua të aplikojnë edhe të tjerë. Ata serbë që nuk janë anëtarë të një partie gjithashtu duhet të kenë një shans”,tha Kurti.

Kurti po ashtu është pyetur në lidhje me propozimin franko-gjerman, për Kosovën dhe Serbinë.

Sa i përket kësaj, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se më 18 gusht të vitit të kaluar pati një takim me shefin e politikë së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell.

“Së pari duhet të negociohet një marrëveshje kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendova se ishte e mrekullueshme. Por Vuçiq ka thënë vazhdimisht se nuk është i interesuar për një marrëveshje të tillë kornizë. Ai është i interesuar për ndezjen e krizave. Tri javë pas këtij takimi, përfaqësuesit e qeverisë franceze dhe gjermane, Emmanuel Macron dhe Jens Plotner, erdhën me ide që i konsideroj një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme, sepse ato kanë të bëjnë me konceptet dhe idetë universale të integritetit territorial dhe sovranitetit, të të drejtave të njeriut dhe pavarësisë e demokracisë. Në të kaluarën kishte më shumë një ideologji për zgjidhjen e problemave, një qasje “Sui Generis”, me një oqean detajesh që dekurajojnë të gjithë”,theksoi ai.
Kurti tha se kanë kaluar katër muaj që kur ata e bënë atë propozim dhe se kaën pasur vetëm një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

“Madje, ne kishim një plan paraprak për të bërë një marrëveshje deri në mars ose prill të vitit 2022. Nuk e di se çfarë ndodhi ndërkohë. Nisma dhe vrulli janë rrëzuar. Më 27 tetor është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Serbisë.Dhjetë ditë më vonë më 6 nëntor, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se në atë takim u anulua marrëveshja e planifikuar me Kosovën. Qeveria serbe me sa duket e njoftoi këtë vetëm dhjetë ditë më vonë, sepse ende donin të dukeshin mirë në Samitin e Berlinit më 3 nëntor. Në Berlin, ne përfaqësuesish e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje”,tha Kurti.

I pyetur se cila do të ishte pjesa më e rëndësishme e një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë, Kurti tha se në propozim ka edhe diçka nga marrëveshja e dy Gjermanive e vitit 1972.

“Në propozim janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972. Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë. Por me Rusinë dhe Kinën, ne nuk kemi një shans të tillë. Por bëhet fjalë edhe për faktin se pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën duhet të jenë gjithashtu aty”, ka thënë Kurti.

Atmosfera është shumë pozitive, tha Kurti, por shtoi se “nuk ka hapa konkretë” për njohjen nga këto pesë vende, me përjashtim të Greqisë.

Ai foli gjatë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Fillimisht e shpjegoi qëndrimin e tij tashmë të njohur se atë s’e lejon Kushtetuta, duke cituar paragrafin e parë të planit të Ahtisaarit se “Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”.

“Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnjë-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën”, tha ai.

Ai tha se “nuk kam frikë”, sepse tha se e di se kjo “është një qëllim shumë i qartë” i Serbisë.

Kurti dha detaje edhe nga një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe ta thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, tha Kurti.

Related Articles