Grupi i ekspertëve, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, është mbledhur të shtunënë për të hartuar Ligjin dhe Statutin e Fondit Sovran të Republikë së Kosovës. Dy dokumentet, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, do të themelojnë dhe funksionalizojnë Fondin Sovran, si organizatë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas njoftimit lëshua nga Zyra e Ekzekutivit, kryeministri Kurti ka thënë se hartimi i Ligjit dhe statutit të Fondit kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim teksa e ka falënderuar grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë punëtorisë u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.
Ndryshe, Qeveria e vendit në mbledhjes e 81-të të saj, kishte miratuar Koncept Dokumentin e Fondit Sovran, i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Kosovës deri në themelimin e Fondit.
“Ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, citohet vendimi i atëhershëm i qeverisë.