Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante për dakordimin e sotëm në Bruksel, por pala serbe ka refuzuar.
Në adresimin për media pas takimit në Bruksel, Kurti e ka konsideruar si dëm faktin që të hënën nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë që janë pajtuar.
“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë”, tha Kurti.
Tutje ai ka shtuar se “nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje e katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që se bëri ndonëse u pajtua”.