Në vazhdën e provokimeve të përfaqësuesve politik të Serbisë, dhe presionit të ndërkombëtarëve, kryeministri kosovar, Albin Kurti ka dhënë qartazi qëndrimin e tij lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk mund dhe s’do të veprojë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, duke nënkuptuar se këto zgjedhje s’do lejohen në Kosovë.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.
“Revolta” e Serbisë
Pas paralajmërimeve të palës kosovare, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.
“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.
Madje, autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.
Kurse, udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill.
Opozita kërkon të respektohet Kushtetuta e vendit
Duke e komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e ka thënë se Qeveria është në kundërshtim me deklarimet e mëhershme, sa i përket këtij procesi.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve, ndonëse në të kaluarën e ka kundërshtuar një gjë të tillë.
Ai thotë se Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Qeveria është në disproporcion me deklarimet e saj dhe kemi një deklarim të fundit të kryeministrit sa i përket lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve dhe vetëm se është në kundërshtim me deklarimet e mëhershme të Qeverisë, por edhe të partisë në pushtet sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se “Përgjegjësinë qytetari duhet ta kërkojë nga Qeveria sepse në pushtet erdhën për ndryshim ndërsa ndryshimi për fat të keq të qytetarëve është vetëm për keq duke e parë një rritje enorme të çmimeve. Tek ne si opozitë nuk ka asnjë presion. Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se ekzekutivi kosovar duhet qartazi të dal kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, sikurse në rastin e referendumit serb.
“Mendoj se qëndrimi i qeverisë duhet të jetë shumë i qartë para se të ndodhin zgjedhjet, ashtu siç ishte për referendum, dhe kjo në bazë të rezolutës së Kuvendit të Kosovës që detyrimisht është shpreh që nuk ka zgjedhje, qoftë referendum apo zgjedhje të Serbisë në Kosovë”, shton ai.
Ai ka shtuar se “Janë dy mënyra të votimit, njëra është nëpërmjet postës dhe tjetra nëpërmjet zyrës serbe në Kosovë. Këto janë dy mundësitë por se trysnia e ndërkombëtarëve po vazhdon. Edhe vendet e Quint’it, BE’së dhe SHBA po bëjnë trysni që kjo te zbatohet. Tash është qëndrimi te kryeministri dhe qeveria që të vendosin lidhur me këtë”, theksoi Ibishi.
Kurse, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, vlerëson se institucionet e Republikës së Kosovës me të drejtë kanë pasur qëndrim të prerë për të mos lejuar organizimin e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, pasi një gjë e tillë siç është lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë, do të mund të ndërlidhej drejtpërdrejt edhe si ushtrim i sovranitetit të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës.
“Organizimi i zgjedhjeve nacionale në bazë të kushteve të përcaktuara nga Republika e Kosovës, për shtetasit e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, dallon skajshmërisht nga referendumi, dhe një gjë e tillë do të duhej të konsiderohej nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo duke u bazuar edhe në kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë më theks të veçantë të State-Departmentit Amerikan’, ka thënë Miftaraj.
Ndërkohë në kuadër të presionit që po i bëhet qeverisë, vlerësohet të ketë ardhur edhe telefonata e dytë në më pak se një muaj e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet kundrejt kryeministrit Albin Kurti, ditë më parë.
Chollet tha se pati “bisedë të mirë” me Kurtin, ndërsa përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote “të mund të marrin pjesë në zgjedhje”
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe. / Gazeta Enigma.