Kurti i gatshëm për “takime të radhës” në Bruksel

Kurti i gatshëm për “takime të radhës” në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për të zhvilluar takime tjera të nivelit të lartë politik, në kuadër të procesit dialogues me Serbinë, duke iu referuar takimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu u tha në njoftimin për media të Kryeministrisë, pas takimit që ky i fundit, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, zhvilluan me pesëshen e emisarëve ndërkombëtarë gjatë ditës së sotme.

“I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit”, u theksua në njoftimin e Kryeministrisë.

Kosova sot ishte nikoqire e shumë përfaqësuesve ndërkombëtarë, nga përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarit diplomatik të kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talo dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në njoftimin për media të Kryeministrisë, thuhet se për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin “kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thotë Kryeministria.

“Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën”.

Related Articles