Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024. Projektligji është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.
Kurti e ka përsëritur atë që tha në Kuvend, duke deklaruar se për mbrojtje dhe i siguri, janë ndarë rreth 370 milionë euro ose 22% më shumë sesa aktualisht. Ai përmendi Ushtrinë dhe Policinë, teksa për këtë të fundit tha se janë shtuar mbi 21 milionë euro për investime kapitale.
“Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë rreth 370 milionë euro ose 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë. Ushtrisë sonë, të cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3-tat, do t’ia shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Kurse Policia jonë, që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes sonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrutë të tjerë, dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit.”
Kryeminsitri po ashtu shtoi se janë shtuar “60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare.”.
“Vetëm përmes platformës së punësimit, SuperPuna, për 8 muaj që nga funksionalizimi i saj, janë punësuar mbi 7 mijë e 700 të rinj mes moshës 18 dhe 25 vjeç – që i bie përafërsisht diç më pak se një mijë të punësuar në muaj. Andaj, për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit.”
Ndërkaq, sa i përket sektorit publik, Kurti tha se koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro.