Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga partia e tij që të bëhen gati për zgjedhje, shkruan Gazeta Enigma.
Ai të dielën në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se zgjedhjet janë “çështje muajsh”, duke kërkuar nga ta t’i maksimalizojnë përpjekjet në mënyrë që procesi zgjedhor t’i gjej të përgatitur dhe të gatshëm për betejat e radhës zgjedhore.
“Nuk është aspak ide e keqe, e përkundrazi, është shumë e mirë, që asambleistët, deputetët, e të gjitha figurat që konsiderohen qendrore, të përfshihen në organizimin tonë, që nga niveli i parë organizativ. Bëhet shumë më atraktive e serioze një mbledhje e Pikës në X fshatin, kur të pranishëm e ka edhe deputetin dhe asambleistin përkatës”, tha Kurti.
“Si drejtues të qendrave është me rëndësi që t’i mendoni këto gjëra në këtë drejtim, e të jeni më kërkues edhe ndaj deputetëve, ministrave, zëvendësministrave e anëtarëve të kryesisë qëndrore të Lëvizjes”.
“Tashmë nuk ka dyshim që zgjedhjet janë çështje muajsh. E kur dimë gjëra që janë të afatizuara, nuk ka arsye apo shkaqe që të jemi të papërgatitur”. ‘Kështu që, unë ju bëj thirrje edhe nga këtu sot, që ditët e javët në vijim t’i maksimalizojmë përpjekjet tona në realizimin e objektivave tona në mënyrë që procesi zgjedhor të na gjej të mirëstrukturuar, të përgatitur dhe të gatshëm për betejat e radhës që na presin”, ka thënë Kurti.