Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet, të mendohet dhe as nuk mund të paramendohet nga askush pa Jasharët, pas homazheve në Prekaz në nderim të familjes Jashari, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Paqes.
“Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj sot u themi të gjithë qytetarëve të Republikës, shqiptarëve mbarë, urime 12 Qershori, Dita e Çlirimit edhe e Paqes, e cila i ka rrënjët pikërisht këtu tek sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj, me ç’rast nga 59 veta gjithsej, gjysma ishin fëmijë e gra krahë për krahë me komandantin, kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë të tjerët aty”, tha Kurti.
Lavdia e tyre është e përjetshme ashtu sikurse edhe kujtimi ynë i pashlyeshëm, u shpreh tutje ai.
Për homazhe, krahas Kurtit ishin edhe presidentja Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrin i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zëvendësministri i Mbrotjes, Shemsi Syla.