Kurti: Lufta në Ukrainë, riktheu traumat e luftës tek populli kosovar

Kurti: Lufta në Ukrainë, riktheu traumat e luftës tek populli kosovar

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, në seancën e sotme parlamentare dënoi ashpër agresionin rus që po zhvillohet në Ukrainë, teksa rikonfirmoi sërish mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas, raporton Gazeta “Enigma”.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se ukrainasit, ashtu si Kosova e dëshiron paqen dhe lirinë.

Sipas tij e tërë ngjarja që po zhvillohet në Ukrainë, rikthen traumat tek kosovarët që kishin përjetuar gjatë luftës së viteve 1999.

“Një shtet i pavarur, e i lirë, demokratik e paqësor, u sulmua nga një shtet fqinjë pa asnjë shkak, e pa asnjë provokim. Lajmet e pamjet nga Ukraina tashmë i ngjajnë një tragjedie evropiane në zhvillim. Atë që e di nga historia është që askush nuk duhet të rri indiferent. Sulmi në Ukrainë është sulm mbi demokracinë, pra është sulm mbi të gjithë ne. Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, nuk e filluan, por ata duhet të luftojnë sepse ashtu sic lexonte në parullën e një protestuese ‘nëse Ukraina ndalon së luftuari nuk do të ketë më Ukrainë”, theksoi Kurti.

Tutje ai shtoi se “Ne në këtë luftë e shohim veten tonë, na rikthehen traumat e luftës e na dhëmbin plagët që ende nuk janë shëruar. Ne jemi popull paqedashës e liri dashës, sepse ne e njohim mirë çmimin e lartë të lirisë. Ne e dënojmë ashpër agresionin rus”.

Pas debatit pritet të miratohet një rezolutë që ka për qëllim solidarizimin me Ukrainën / Gazeta Enigma.

Related Articles