Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me partiakë të tij kanë bërë nderime te pllaka përkujtimore e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, në 15 vjetorin e vrasjes së tyre.
Në sheshin kryesor të kryeqytetit, Kurti mbajti një fjalim për ngjarjen e 10 shkurtit, të cilin e nisi duke cituar Adem Demaçin, i cili në ditën e protestës kishte thënë: “ Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.
“Rruga jonë është e drejtë. Prishtina e ka këtë shesh e këtë rrugë, vendin e protestave të të gjitha kohërave të saj. Është sheshi i saj historik. Edhe atë 10 shkurt, për të disatën herë, ne shpallëm testamentin që gjithkush ia shpall vetvetes – testamentin e vetëvendosjes. Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë është polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit”.
Kurti tha se në këtë shesh të Prishtinës, shqiptarët e çdo brezi janë takuar me historinë dhe se ata shqiptarë të çdo brezi do të rivijnë në këtë shesh dhe do të përkujtojnë të rënët për liri dhe drejtësi.
“Drejtësia nuk importohet, por është virtyt i yni. Policia arbitrare e UNMIK-ut na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës dytë dhe për qytetarët e dorës së dytë nuk ka kuvend, por polici. Nuk ka gjykim, por hetim. Mijëra ishim bashkë në shesh atë ditë”.
“Baca Adem me 28 vitet e burgut në shpinë deklaronte drejtësi para pothuajse 28 vjeçarit Mon Balaj, ndërsa Arben Xheladinit po i mbusheshin po aq vite prej pjekjes së parë në protesta, prej atëherë kur ai shpinte bukën në barrikadat e studentëve të vitit 1981. Kështu është thurur gjithmonë historia jonë. Vitet e burgut të dikujt përcaktojnë moshën e pjekurimit dhe përjetësimit të dikujt tjetër. Prandaj, të gjithë ne pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë, bashkë me ne jemi të përfaqësuar nga këta dy emra – Arben Xheladini dhe Mon Balaj”.
Ndër të tjera, Kurti tha se 10 shkurti ishte ngjarja e Republikës.
“Ne atëherë thamë se drejtësia nuk jepet me copa dhe iu drejtuam policëve tonë, sepse ata ishin vendosur para policëve të UNMIK-ut, të cilët më pas qëlluan mbi trupat tonë pa asnjë ngurrim. Sepse pas burokratëve të ftohtë vinin policët e nxehtë dhe për të dy kategoritë ne ishim njerëz pa të drejtë e pa qytet. Ne ishim njerëz që nuk i mbron ligji, por i dhunon policia e huaj”.
Kreu i Vetëvendosjes tha se kur demokracia importohet është ves dhe sëmundje dhe se “kur paketa dhe policia vijnë me plumba mbi popullin autokton nuk mbetet prej vlerave asgjë, përveçse një peizazh i mjerë i kolonizuar antidemokratik”.