Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sot në takimin e Brukselit nuk ka pasë ndonjë propozim tjetër pos të palës kosovare.
Ai, në një konferencë për media, e tha të kundërtën e deklaratës së shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili deklaroi se Kurti nuk e ka pranuar propozimin evropian dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar.
“Ata edhe si ndërmjetës edhe pala tjetër e kanë tashmë propozimin tonë do të duhej ta japin qëndrimin për këtë. Sot nuk ka pasur asnjë propozim përpos asaj që kam sjellë unë si kryeministër i Kosovës”, ka thënë Kurti në deklaratën e tij.
Ndër tjera, Kurti ka theksuar se kryetarët e komunave në veri nuk mund të japin dorëheqje, sipas tij, duhet të respektohet udhëzimi administrativ.
“Lista Serbe si një degë e partisë në pushet në Serbi që vepron në Kosovë me datë 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri dhe këtë e bënë me qëllim të keq dhe gabuan. Për gabimin e tyre nuk do të duhej të paguajnë kryetarët aktualë, që njëmend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët, mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet”.
“Jam interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë. Nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni. Në mënyrë që të organizohet votimi drejt përfundimit të mandatit të kryetarëve. Kjo është rruga demokratike, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit ka pohuar se Borrellit në takim i ka thënë se duhet ta gjejnë dhe tregon se kush e shkakton dhunën në veri, e jo të ketë qëndrime për gjëra që nuk potencohen në formë të përveçme.
“Ata që thonë se mund të ketë eskalim, duhet të tregojmë se kush mund ta bëjë eskalimin nuk mund të flasim për erupsion të dhunës, nuk ka vullkan në veri nuk mund të ketë erupsion të dhunës, nuk është si zjarret stuhitë vërshimet apo vullkanet dhe tërmete”.
“Kur ka dhunë duhet të gjejmë strukturat emrat e mbiemrat që e bëjnë eskalimin, kurrë nuk mendoj se dhunën e bëjnë serbët. Nuk do të duhej të flasim në mënyrë anonime, impersonale për eskalime dhe shfaqje të dhunës këtë e bëjnë subjekte të dhunës që duhet identifikuar dhe dalluar”, ka thënë Kurti.