Kryeministri i vendit, njëherësh, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot, në mbledhjen e 51-të me radhë e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, u mburr për punën e bërë në vend që nga viti i themelimit të partisë.
Kurti tha se bashkërisht duhet të angazhohen që të punojnë për të mirën e Kosovës.
“Të gjitha mbledhjet deri sot janë karakterizuar me propozime të mira kritika të sinqerta, ide kreative, shqyrtime të gjëra e vendime të rëndësishme, të cilat përherë janë marrur nga ne në këto 12 vjet veprimtari. Nuk ka gjë më të bukur se të jesh aktivist i lirë e të qëndrosh i etur për bindjet, aktivistët besojnë se përpjekjet nuk ndalin historia vazhdon të na befesojë, herë për të mirë e herë për të keq. Kjo kërkon strategji, fleksibilitet, këmbëngulje e jo kokëfortësi, por as lëshim “pe” e oportunizëm, kërkon angazhim të vazhdueshëm në përputhje me rrethanat”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit, Kurti theksoi se dita-ditës si parti po shënojnë rritje të anatrëve të rinj në këtë parti.
“Lëvizja është në kulmin e energjisë së saj e në kulmin e kreativitetit. Neve na rriten demostratat në kërkim te sovranitetit e demokracisë. Anëtarësimet vazhdojnë e trendi është në rritje edhe për organizatat e reja që kemi themeluar”, u shpreh mes tjerash Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci falënderoi kryetarët e rinj në komunat veriore, policët e gazetarët për rezistencën e tyre gjatë raportimeve.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u mbajt në kohën e tensionve në veri dhe kur raportet e Kosovës me SHBA-në janë acaruar, shkaku i veprimeve të Qeverisë Kurti në veri të vendit. /KP