Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Sarajevë është takuar me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Refik Lendo, me të cilin diskutuan rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rreth mundësive për shtim dhe thellim të bashkëpunimit, shkruan Enigma.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin Lendo për mikpritjen e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë. E njoftoi atë për përgatitjet që institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit për lëvizje me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2025”, wshtw thënë në njoftimin e ZKM-së.
Ndërkaq, ZKM tha se Kurti në takim theksoi rëndësinë që edhe Bosnja dhe Hercegovina “të ratifikojë sa më parë” këtë marrëveshje ashtu që të fillojë zbatimi i saj nga të dy palët.
Lendo ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për vendimin në lidhje me lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe shprehu shpresën që edhe vendi i tij të zbatojë masë reciproke për qytetarët e Kosovës në një të ardhme të afërt, tha ZKM.
Përgjatë bisedës, u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në arritjen e objektivave të përbashkëta sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe për instrumente dhe platforma të përbashkëta që do të mundësonin rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit dhe sigurisë.