Kurti në takim me ambasadoren sllovene, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve

Kurti në takim me ambasadoren sllovene, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve

Në takimin e parë me ambasadoren e sapoemëruar të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiq, në të cilin kryeministri Albin Kurti i uroi mirëseardhje, u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira në mes dy vendeve dhe për vullnetin dhe fushat në të cilat synojmë t’i forcojmë ato.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Benedejçiq për pritjen që shteti slloven i bëri atij dhe liderëve të tjerë gjatë Forumit Strategjik të Bledit, dhe për takimet e bisedat që pati me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha.

“Vendet tona kanë 20 marrëveshje bilaterale dhe disa të tjera që presim të finalizohen. Kjo flet për nivelin e lartë dhe të zhvilluar të marrëdhënieve në mes dy shteteve tona, tha ndër të tjera kryeministri në takim.

Në këtë frymë, si qeveri do të angazhohemi edhe më shumë në arritjen e marrëveshjeve të dyanshme për njohjen e patent shoferëve, sikurse edhe të pensioneve dhe sigurimeve sociale”, shtoi kryeministri.

Në njoftim thuhet se u bisedua për gjendjen e rënduar me pandeminë dhe zbatimin e masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së mëtejme të variantit Delta të virusit.

Benedejçiq e falënderoi kryeministrin Kurti për takimin dhe mikpritjen.

Ambasadorja Benedejçiq theksoi se qëllimi i saj dhe shtetit që përfaqëson është që të forcojë marrëdhëniet bilaterale dhe të nxisë bashkëpunimin në fushat të ndryshme dhe me interes të përbashkët. 

Related Articles