Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në vizitën e tij në fshatin Vicë të malësisë së Tetovës foli edhe për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren.
“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjëllë Zoti në tokë, malet e Sharit i kanë ndarë dhe kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, deklaroi Kurti duke shtuar se si qeveri shprehin interesim që të ecin sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës.
Kryeministri Kurti tha se në ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, parashihet edhe një tunel dhe se në bazë të llogaritjeve që janë bërë, nuk është një kosto e lartë.
“Në bazë të llogaritjeve të cilat janë bërë, nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, me qenë se, shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia”, shprehet Kurti.
Zv.ministri për Infrastrukturë, Hysen Durmishi, bëri të ditur se rruga Prizren – Tetovë mbetet prioritet për Qeverinë e Kosvës, ndërsa rruga përfshin edhe ndërtimin e tunelit 6.5 kilometra, ku përfshihet edhe dalja në autostradën “Ibrahim Rrugova”.