Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mërkurën nis takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Ky i fundit ka arritur në Bruksel të martën dhe po atë ditë ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.
Kurti së pari do të ketë takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.
Më 28 prill, Kurti do të ketë kryesisht takime me komisionarë të fushave që janë më pak politike, por që mbulojnë sektorë për të cilët Komisioni Evropian beson se kanë rëndësi edhe për Kosovën.
Delegacioni i Kosovës pritet që të takohet të mërkurën edhe me Komisionarin evropian për Bujqësi dhe Zhvillim rural Janusz Wojciechhowski, atë për Drejtësi Didier Reynders, Komisionaren për Energji Kadri Simons, për Ekonomi dhe Financa Paolo Gentiloni dhe nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian për Ekonomi Valdis Dombrovskis.
Gjatë ditës, Kurti pritet ta takojë edhe presidentin e Parlamentit Evropian David Sasolli.
Të enjten, ndërkaq, ai do t’i ketë takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell.
Kurti takimin me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel e ka zhvilluar në mënyrë virtuale të martën pasi ai është dashur të shkojë në një udhëtim jashtë shtetit me urgjencë.
Kurti do të ketë takim gjatë vizitës në Bruksel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.