Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur sonte drejt Tiranës.
Ai, siç njofton zyra e tij, është nisur për kryeqendrën e Shqipërisë, për të marrë pjesë ne Samitin e Procesit të Berlinit.
“Në margjina të samitit, Kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, thuhet në kumtesë.
Kurti dhe homologia e tij serbe Ana Bërnabiq, do të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të dielën në Tiranë se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.
Zyrtarja e lartë evropiane ka mbërritur në Shqipëri një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një nga vendet e rajonit.
E pyetur se çfarë ndodh me Marrëveshjen e Ohrit – të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë – pas sulmit të 24 shtator në Banjskë të Kosovës, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.
“Marrëveshja e Ohrit është baza, themeli për pajtimin përmes dialogut të BE-së. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është e vetmja mënyrë, përmes angazhimit, përmes dialogut, sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.