Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se nuk ka pranuar ftesë nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e bisedimeve lidhur me dialogun me Serbinë.
Në një konferencë për media, kreu i ekzekutivit tha se kjo është e çuditshme për të pasi në takimin e 18 gushtit palët janë pajtuar që të takohen çdo muaj në mënyrë që marrëveshja finale të arrihet sa më parë.
“Ftesë për dialog në Bruksel, takim të lartë të radhës nuk ka ende. Kjo është e çuditshme për mua sepse më 18 gusht jemi marrë vesh që të kemi takime çdo muaj. Kam dhënë një propozim për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes”.
“Më 9 shtator erdhën emisarët evropian francez dhe gjerman, tri javë pas atij takimi. Tash që po bëhen katër muaj nga ai propozim e kemi pasur vetëm një takim në Bruksel. Kam pritur se do të ketë dinamikë dhe intensitet të shtuar të bisedimeve”, u shpreh Kurti para gazetarëve.