Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kërkesat e opozitës kundrejt Qeverisë, sa i përket daljes nga kriza energjetike po bëhen ‘sa për sy e faqe’, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas kryeministrit, situata në të cilën gjendet vendi, nuk ka një mes të artë, dhe se kompromiset janë të pashmangshme.
“Të thuhet se ne i kemi votuar për këtë qeveri duam të konsumojmë energji me çmim astronomik, nuk duam të kemi reduktime, nuk duam të paguajmë, dhe që duhet që Kurti të gjejë zgjidhje, është sikurse të kërkohet nga unë që ta mbajë gjatë 24 orëve ditë, e të mos lejoj që të bie nata. Nuk do të ndodheshim në këtë situatë, sikurse mos ta kishim një monopol privat në këtë fushë. Është e domosdoshme të kuptohet që nuk ka zgjidhje ideale në një krizë të thellë e të rëndë të shkaktuar ndër shumë vite”, tha Kurti ndër të tjera.
Kurti, sikurse edhe Zyra e Rregullatorit për Energji në propozimin për rritjen e çmimit të rrymës, ka konstatuar se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë”, tha Kurti.
Sipas tij një gjë e tillë s’ka ndodhur asnjëherë në vendin tonë.
“Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, tha ai. Kujtojmë se ZRRE-ja, në raportin konsultativ ku propozonte shtrenjtimin e energjisë elektrike, theksonte se struktura tarifore e ndryshuar në vitin 2017 ka pasur ndikim të konsiderueshëm negativ në sistem, duke rezultuar në rritjen e kërkesave për rrymë dhe rrjedhimisht, shpenzimeve në blerjen e energjisë elektrike. / Gazeta Enigma.