Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, i ka pritur në takim homologët, Mark Rutte nga Holanda dhe Xavier Bettel nga Luksemburgu.
Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast Kurti ka thënë se mosnënshkrimi i marrëveshjes bazë nga ana e Serbisë, ka hapur derën për shkelje dhe mosimplementim të marrëveshjes.
“Lajmi i mirë është se e kemi një marrëveshje. Kjo marrëveshje quhet marrëveshja bazë, është modeluar në bazë të dy Gjermanive. Çdo student që studion shkenca politike i studion këto 11 pika, vjen në përfundim se kjo është një njohje de-fakto e Kosovës nga ana e Serbisë. Vështirësitë i kemi të mungesa e implementimit. Mosnënshkrimi i marrëveshjes e ka hapur derën për shkelje ose mosimplementim”, ka thënë Kurti.
Tutje, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet pa kushte në mënyrë që të arrihet zgjidhja.
“Të gjithë partnerët, mos të heqin dorë nga marrëveshja sepse e kemi një marrëveshje si pjesë e konkludimeve të Këshillit të Evropës”, ka shtuar ai.