Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim në ndërtesën e Qeverisë të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Përmes një komunikate për media, Qeveria njofton se Kurti ka deklaruar gjatë takimit se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.
Sipas tij, Kosova nuk kontribuon në eskalimin e situatës dhe Policia vetëm po zbaton ligjin dhe po kujdeset për sigurinë publike.
“Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objektev”, thuhet në njoftim.
Më tej, Qeveria njofton se kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.
“Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, thuhet në përfundimin e komunikatës.
Kryeministri Kurti nga takimi me emisarin Lajčák: Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë…Posted byQeveria e Republikës së Kosovëson Tuesday, July 4, 2023
Në anën tjetër, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak,
ka thënë se janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për shtensionim të situatës në veri.
“Në BE ende duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë. Ai [Kurti] ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë”, tha ai.
Lajçak më tej folur edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se nuk mund të komentojë për këtë çështje, por është shprehur se BE-ja nuk është fare e gëzuar që situata ka ardhur deri në këtë pikë.
“Nuk mund të komentoj për këtë gjë sepse nuk është pjesë e përgjegjësisë sime, por BE nuk është fare e gëzuar që të vijë në këtë pozitë për të vendosur këto masa dhe qëllimi i kësaj bisede është që të arrijmë te pika ku këto masa hiqen dhe të kthehemi në gjendjen paraprake”, tha ai.
Sipas tij, BE e ka bërë të qartë se i ka sanksionet e gatshme edhe për Serbinë.
“BE ka bërë të qartë se i ka sanksionet e gatshme edhe për Serbinë dhe ato do të vendosen nëse vendet e BE-se vendosin që nuk po i respekton kushtet apo kërkesat e BE-së. Por ky është vendim i BE-së dhe shteteve anëtarë. Do të shkoj në Beograd nesër”, u shpreh ai.
Më tej emisari i BE-së tha se dëshira e tij është të mos ketë sanksione, por të vazhdojë dialogu mes palëve në Bruksel.
“Dëshira ime është të mos ketë kurrfarë sanksione dhe palët të takohen në Bruksel dhe të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet e mëtutjeshme”, përfundoi Lajçak.