Kurti pas takimit: Radoiçiq duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare, ndryshe s’ka normalizim dhe paqe

Kurti pas takimit: Radoiçiq duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare, ndryshe s’ka normalizim dhe paqe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të zhvillohet takim bilaterial në Bruksel. 

Ai ka deklaruar të mërkurën pas takimit se Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-s. 

“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, i cili ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar… Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka shtuar para gazetarëve se organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare “përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodhë në rajon”.

Kurti shtoi se ka kërkuar zbatimin në tërësi të marrëveshjeve me Serbinë dhe “tërheqjen e letrave rezervë”.

“…Këto letra janë anësore, janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazike. Do të provohet në fillim të korrikut që të diskutohet për sekuencimin. Ajo çka bërë ne sot është që e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazike…Sulmi është nga mosnënshkrimi i marrëveshjes, nga letra e Bërnabiqit dhe nga mosdorëzimi i Radoiçiqit i cili në Serbi i vazhdon trajnimet për sulme të reja”, ka shtuar ai.

“Marrëveshja Bazike e ka në qendër njohjen de-facto së paku. Ne nuk mund të lejojmë që Marrëveshja Bazike të hidhet në prapavijë duke e bërë çështje urgjente Asociacionin…Nuk e mohojmë trashëgiminë e qeverive të mëhershme por duhet të mbrojmë Marrëveshjen Bazike…”, ka potencuar tutje Kurti.

Related Articles