Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Martin Schüepp, raporton Gazeta Enigma.
Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, e që është njëra ndër arsyet kryesore të vizitës së Schüepp në Kosovë.
Tutje, Schüepp tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Siç tha ai, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb”, thuhet në një prej komunikatave për media nga zyra e kryeministrit.
Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre.