Kryeministri Albin Kurti ka thënë se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë “sikurse ato të gjyshit me nipin”, derisa i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për raportet mes dy vendeve.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, shefi i qeverisë ka kritikuar gazetarët për leximin, sipas tij, të pasaktë të komunikatës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me procesin e regjistrimit të veturave dhe situatës në veri.
I pyetur nga një gazetare nëse “[Kosova] po prishet me Amerikën”, Kurti ka reaguar:
“A do ta dëgjoni Amerikën? A po prishemi me Amerikën? A po kupton! Nuk ndodhin këto gjëra. Nuk kemi ne këso raporte me ShBA-të sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po ua lexon, se nuk besoj që e keni lexuar vet e po interpretoni kështu”.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. ShBA-të i kemi miq e partnerë. Miqtë e partnerët nuk shkruajnë komunikata sikurse ato të cilat i cituat ju”, tha Kurti.