Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryerësit e kësaj vepre duhet të marrin dënimin meritor.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor”, ka shkruar ai.
Kurti është shprehur se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por siç është shprehur ai është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale.
“Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër.Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, ka shkruar ai.