Kryeministri Albin Kurti të enjten foli për sfidat e dialogimit me Serbinë, e cila sipas tij vazhdimish shkel, denigron e refuzon marrëveshjet e arritura, raporton Gazeta Enigma.
Ai foli edhe për mosmarrëveshjet me Serbinë, ndërsa përmendi marrëveshjen e arritur para një viti.
“Pra, ne kemi arritur një marrëveshje. Presidenti i Serbisë tha po, për të mos nënshkruar dhe tani e ka këtë pendim të blerësit se është penduar që ka thënë po. Nuk është e lehtë të mbetesh mbështetës i një marrëveshjeje kur pala tjetër vazhdimisht e shkel, e denigron dhe e refuzon atë. Është edhe më e vështirë të mbash besim në perspektivat e paqes dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me një vend që refuzon edhe ta njohë ekzistencën tonë dhe sponsorizon bandat kriminale dhe terroriste që veprojnë në territorin tonë. Por ne në Kosovë kemi një bërthamë të palëkundur të optimizmit. Ne kurrë nuk mund – dhe nuk do të heqim dorë nga shpresa. Fakti që ne nuk e kemi braktisur marrëveshjen pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të Serbisë për ta minuar atë, është një dëshmi e përkushtimit tonë të hekurt për paqen me Serbinë – dhe me të gjitha shtetet e botës. Është gjithashtu një dëshmi se sa shumë e vlerësojmë partneritetin tonë me BE-në dhe SHBA-në”, tha Kurti.
Kryeministri tha se “siguria e Kosovës nuk është vetëm prioritet kombëtar, por edhe evropian”.
“Kanë kaluar dy vjet që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Janë humbur jetë të panumërta të pafajshmish, me 6 milionë refugjatë që ikën nga vendi dhe miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Kjo ngjarje tragjike ka nënvizuar se autoritarizmi rus përbën një kërcënim të prekshëm, jo thjesht teorik. Për një kohë të gjatë, Europa ka vepruar me besimin se çdo përshkallëzim i këtij kërcënimi nuk do të përfshinte konflikt të dhunshëm. Megjithatë, ne duhet ta përshtatim politikën tonë me realitetet e kërcënimeve me të cilat përballemi”, tha ai.
Kurti tha nevojitjet “përgjigje me forcë”.
“Ngritja e së djathtës ekstreme përbën një rrezik të prekshëm dhe dhuna mbetet një shqetësim urgjent. Veprimet tona duhet t’i përgjigjen me forcë këtyre sfidave të rënda. Vetëm atëherë mund ta mbajmë të gjallë shpresën dhe ta kthejmë atë shpresë në realitetin tonë të ri”, tha ai ndër tjerash.