Kurti për The Times: Kemi nevojë për SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e BE-në

Kurti për The Times: Kemi nevojë për SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e BE-në

Kryeministri i Kosovës ka vendosur që deklarimet e tij për situatën në Veri t’i japë kryesisht në mediat ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka folur edhe për “The Times”, ku fatkeqësisht i paraqiten shumë pak fjalë.

Artikulli tregon më shumë deklarata të diplomatëve perëndimorë.

“Kryeministri i Kosovës e ka dukjen e një nxënësi të shkollës që është lënduar sepse ka menduar që ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush s’e do.” – nis artikulli i The Times në intervistën me kryeministrin Albin Kurti.

Ky artikull titullohet “Nuk do t’i kënaq miqtë e Putinit, thotë kryeministri i Kosovës.”

Më pas thuhet se si kryeministri Kurti është “i papenduar” për veprimet e tij, derisa tregohet edhe se si është ndëshkuar nga ShBA-të me përjashtim të FSK-së nga një ushtrim i udhëhequr nga NATO.

“Na vyen ndihma e ShBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtimin e kënaqjes së autokratëve.”, ka thënë Kurti.

“Por, (kriza e fundit) nuk e ka vënë vetëm Kurtin kundër Vuçiqit, por e ka vënë edhe Kurtin kundër forcave që me intervenimin e tyre ushtarak kundër ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq më 1999, çuan drejt pavarësisë së Kosovës.”

Gazetari përshkruan krejt zhvillimet e fundit në Kosovë dhe veprimet e kryeministrit Kurti që sipas tij kanë bërë që ai të denoncohet ashpër nga zyrtarët perëndimorë, bile edhe më ashpër se fjalët që i kemi dëgjuar në publik.

“Emisarët e Perëndimit shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm, dhe privatisht, edhe më keq.”

Por, Kurti duket se ia tha të njëjtat fjalë që i përsërit në Prishtinë edhe gazetarit Richard Spencer në këtë bisedë, duke mos u lëkundur nga qëndrimet e fundit. Por, diplomatët duket se po ashtu janë të rëndë në komente.

“Diplomatët thonë që Kurti, 48 vjeçar, që garoi me premtimin për anti-korrupsion, po provon ta bëjë veten si Zelenskyin e ri. Ata thonë që Kosova është shumë ndryshe nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut se sa si Donbasi. Të kërkosh nga serbët që ta harrojnë Beogradin është njësoj si të kërkosh nga katolikët irlandezoveriorë që ta harrojnë Dublinin.” – shkruan tutje Spencer për The Times.

“Kurti është në mohim në lidhje me fuqinë e ndjenjave në veri, thonë ata, dhe duke i quajtur bandat që sulmuan zyrat komunale si “milici fashiste” ai po i çon serbët e zakontë në radhët e tyre”.

Related Articles