Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër në Drenicë, në 23-vjetorin e kësaj masakre, ku mbetën të vrarë 77 shqiptarë civilë të paarmatosur, mes tyre edhe fëmijë, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti ka thënë se këto krime të kryera nga forcat serbe nuk mund të zhduken e as të harrohen dhe mbeten dëshmi pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e krimit në Kosovë.
“Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha. Pasi i vranë, trupat e viktimave të Masakrës së Paklekut i dogjën bashkë me shtëpitë. Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse. Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë. Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra”, ka shkruar Kurti në Facebook.