Kryeministri Albin Kurti tha se me hapjen e Misionit të Kosovës në Poloni këtë vit, “po zgjerojmë dhe forcojmë partneritetin ndërmjet dy shteteve dhe popujve tanë”.
Kurti i bëri këto deklarata pas ditës së dytë të vizitës në këtë shtet bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të ditës së dytë të Forumit për Siguri të Varshavës.
“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe shefin e Misionit tonë në Poloni, ambasadorin Drilon Gashi në takime të njëpasnjëshme që në fokus kishin çështjet e sigurisë, mbrojtjes, sundimit të ligjit, digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Treshja dje zhvilluan takime me zëvendëskryeministrin e Polonisë, Krzysztof Gawkowski e ministrin e Drejtësisë, Adam Bodnar, ministrin e Mbrojtjes të Estonisë, Hanno Pevkur, ambasadorin e Austrisë në Poloni e ish-ministrin e Mbrojtjes të Austrisë, Dr. Werner Fasslabend, Andreas Stadler, dhe drejtorin e Fondacionit Casimir Pulaski, Zbigniew Pisarski, si dhe me publicistin e njohur polak dhe kryeredaktorin e gazetës Wyborcza, Adam Michnik.
Mbrëmjen e përmbyllën me një pritje të organizuar për diasporën kosovare në Poloni.
“Poloninë e kemi shtet mik për shumë vite. Na ka mbështetur ndër vite. Me hapjen e Misionit të Kosovës në Poloni sivjet, po zgjerojmë dhe forcojmë partneritetin ndërmjet dy shteteve dhe popujve tanë”, shkroi Kurti. /Gazeta Enigma