Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se paga minimale në vend të bëhet 250 euro, do të përjashtohet tatimi nga të ardhurat personale dhe do të rishikohet vazhdimisht ngritja e të ardhurave.
Në Kongresin zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Kurti ka thënë se punësimi dhe drejtësia janë prioritet i kësaj Qeverie, me theks të veçantë në tregun e punës.
“Për ne punësimi dhe drejtësia janë prioritet dhe angazhim ditor që të realizohen, sidomos në tregun e punës. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi patur rritje ekonomike prej 10.4% dhe tashmë është e sigurt se rritja këtë vit do të jetë më e madhja që nga paslufta. Këtë rritje, Qeveria jonë dhe e juaja, do ta kanalizojë drejt zhvillimit ekonomik. Kjo nënkupton se do të krijojmë kushte që mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Prioritet për ne është punësimi i grave, i të rinjve dhe i komuniteteve joshumicë. Jemi duke punuar në amandamentimin e Ligjit të Punës dhe do të sigurojmë zbatimin rigoroz të tij. Kjo do të thotë se çdo vend pune duhet të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë”, ka thënë ai.
I pari i Qeverisë ka premtuar pesëfishim të numrit të inspektorëve “që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës”.
Kurti ka folur edhe për çështjen e sindikatave, duke thënë se problematikat në vend të puëns duhet raportuar, dhe se aty ku nuk ka sindikata në sektorin privat, duhet parë të gjitha mundësitë që ato të krijohen.