Kurti: Propozimet për zgjidhje i dha BE-ja e jo Serbia

Kurti: Propozimet për zgjidhje i dha BE-ja e jo Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.

Kurti, në deklaratën që dha në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, u fol për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.

“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, tha Kurti duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd.

Kurti tha se arsyeja pse nuk është prononcuar pas takimit, më 18 gusht, ka qenë një dakordim i brendshëm për “mosacarim” të situatës.

“Jo të gjithë i janë përmbajtur këtij deklarimi”, tha Kurti.


Mirosllav Lajçak, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë planifikuar takime me liderë politikë në Kosovë dhe Serbi më 23, 24 dhe 25 gusht.

Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit.

Në këtë datë parashihet të fillojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.

Autoritetet e Kosovës i kanë quajtur këto vendime legale dhe masa reciproke ndaj Serbisë, si dhe kishin bërë përpjekje t’i zbatojnë që nga 1 gushti.

Takimi i fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 18 gusht.

Si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre vendimeve, disa serbë në pjesën veriore kanë ngritur barrikada në rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Si rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve të saj për 30 ditë.

Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në selinë e Bashkimit Evropian, por nuk kanë arritur marrëveshje.

Pala serbe ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për dokumentet e reja dhe që automjetet e tyre t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës – KS, e jo RKS.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 23 gusht e ka quajtur tw përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.

Related Articles