Kryeministri Albin Kurti, po mendon se vendi fqinj verior i Kosovës, pra Serbia është në panik.
Kjo gjendje e Beogradit zyrtar sipas Kurtit po ngjan pasi që sa më parë do t’i bëjë bashkë kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe nëpërmjet asociacionit ku do ta ketë një president e të punojë kundër qeverisë.
“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste, prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘Zajednice’ e me atë ta shkelin ministrin tonë, të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb, e padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha Kurti të premten, njofton Klan Kosova.
Pos kësaj kryetari i qeverisë, sërish ngriti paralele mes bashkimit të komunave që po i kërkohet Kosovës, dhe një situate që ndodhi në Bosnjë Hercegovinë dekada më parë.
“Kurrë nuk ka qenë me e diskutueshme gjithandej, nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si ‘Zajdenicë’ komunash pati nisur edhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë e Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që m’u këtë e do Serbia”.
Nga ana e saj kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq po thotë se s’ka dialog me Kosovën pa krijimin e Asociacionit.
“Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është “kushti i kushteve” për bisedime të mëtejshme. Të ketë një AKS, jo siç e mendon ndonjë OJQ nga Serbia, Kosova apo nga Perëndimi, apo ndonjë politikan por një asociacion në pajtim me ujditë më 2013 e 2015. Pra ekipi menaxhues dhe kompetencat që qartazi janë definuar”, tha Bërnabiq, gjatë një konference që e mbajti në shënimin e 100 ditëve të qeverisjes së saj.