Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kërcënimi nga Serbia është real, por se “Kosova është duke u përgatitur që serbët të mendohen dy herë nëse do sulmojnë”.
“Vazhdimisht Serbia bën kërcënime, por ne nuk e dimë kur do t’i materializojë ato. Përvoja dhe historia na mëson se ai që bën kërcënime, një ditë do të edhe i aktualizon kërcënimet. Duhet të jemi vigjilentë dhe sa më të përgatitur, prandaj dhe po e forcojmë ushtrinë tonë, e kemi hequr tavanin e ushtarëve, e kemi zgjedhuar moshën e ushtarëve nga 23 në 25 vjeç. Në 3 vite kemi shtuar 1852 ushtarë në FSK, edhe 600 ushtarë të rinj do të vijnë këtë vit. Nga SHBA, ne po blejmë raketa antitank “Javelin”, ndërsa nga Turqia po blejmë dronë Bayraktar. Përveç kësaj, e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarët dhe oficerët jashtë vendit, është dyfishuar buxheti për mbrojtjen. Ne po i bëjmë këto pikërisht se ekziston kërcënimi real i Serbisë, që shpeshherë është i shoqëruar edhe me kërcënimet e Rusisë. Ajo fjala që thotë “ka përfunduar beteja, por s’ka përfunduar lufta”, këtu vlen e kundërta, me Serbinë “ka përfunduar lufta, por nuk ka përfunduar beteja” në arenën ndërkombëtare, rrotull kufijve tanë, në luftë me krimin e organizuar, vazhdimisht kemi beteja, ku na duhet të përballemi me Serbinë, e cila nuk distancohet nga Miloshevici, nuk distancohet nga Putini, nuk pranon krimet e kryera në Kosova dhe nuk na e njeh pavarësinë”, tha Kurti në A2 CNN.
“Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë ushtri më të madhe apo më të fuqishme se Serbia tani. E ardhmja është e hapur, natyrisht, por ne duhet të bëjmë kapacitete dhe aftësi ushtarake të tilla që sulmin e Serbisë e bëjnë të paleverdishëm”, shtoi ai.
Kurti tha më tej se Serbia është në duart e Rusisë dhe nëse Putinit do t’i duhej një konflikt i ri, mund ta bëjë këtë me anë të Serbisë dhe jo duke ndarë ushtrinë e tij.
“Unë besoj se ka më shumë ngjashmëri sa duket mes Beogradit zyrtar dhe Kremlinit. Nuk është e rastësishme që Akademia në Serbi, mediat në Serbi, Kisha ortodokse, policia, ushtria, janë aq shumë të përfshira nga elementët e Putinit dhe andaj edhe i intereson Moskës që në një moment të caktuar të ketë një zgjerim të konfliktit. Ata e kanë Ballkanin të përshtatshëm meqenëse e kanë një regjim që i mbështet ata. Nëse Federata Ruse do të duhet të fillojë një luftë të re, atëherë do të duhet ta ndajë ushtrinë për atë luftën e re, ndërkohë që në Ballkan këtë gjë mund t’ia delegojë Serbisë. Prandaj, kërcënimi serb është më i madh ngase duket. Megjithatë, unë besoj se kërcënimi në të njëjtën kohë ka një lloj efekti të paparashikuar nga ana e tyre. Kjo po ndërton mbrojtjen e imunitetit të Kosovës”.