Kryeministri i vendit refuzoi të ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se për shkak të tij, Albin Kurti kishte vendosur ta bënte transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Kurti nuk deshi të thotë më shumë, duke përmendur reagimin e zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhukës dhe vetë ministrit.
“Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”, tha ai.
Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq në një intervistë të fundit për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevci.
Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.
