Pas takimit që zhvilluan ditën e shtunë, sot pritet edhe një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Takimi mes tyre do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë, rreth orës 10:00.
Emisari gjerman ka deklaruar se në takim me Kurtin kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, dhe tensioneve që ka pasur në veri.
Sipas Sarrazin, veprimet e institucioneve kosovare të premten kanë qenë të gabuara.
“Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin, e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pas takimit ka deklaruar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës duhet të trajtohen si gjë normale.
“Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.