Kurti, Stoltenbergut: Qytetarët me dokumentet serbe mund të hyjnë në Kosovë për 20 sekonda

Kurti, Stoltenbergut: Qytetarët me dokumentet serbe mund të hyjnë në Kosovë për 20 sekonda

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg.



Temë e bisedës mes Kurtit dhe Stoltenbergut, ishin zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.

Kreu i qeverisë e njoftoi shefin e Aleancës Veriatlantike se me procedurat e reja më 1 gusht kanë kaluar 2 mijë e 521 qytetarë me dokumente të identifikimit.

Ai i tregoi se kjo procedurë nga pala kosovare zgjat vetëm 20 sekonda, kurse nga ana serbe e njëjta zgjat nga 10 minuta deri në një orë.

“Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë”- tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ndër të tjera gjatë bisedës me të parin e NATO-s e informoi atë se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje.

“Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin” – theksoi ai.

Kurti tha se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Related Articles