Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, ku ka thënë që përmes kësaj strategjie synojnë t’i shtojnë të ardhurat për punëtorët dhe ta përmirësojë mirëqenien dhe ambientit për gjeneratat pasuese.
Ky takim u organizua nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane, me qëllim të përcaktimit të planeve për avancimin e projekteve të zhvillimit.
“Nëpërmjet kësaj strategjie synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese në atë mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët, të shtojmë të ardhurat për punëtorët, të ngrejmë mirëqenien dhe të mbrojmë ambientin për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Kurti.
Ai e ka quajtur këtë strategji si dokument kryesor orientues për qeverisjen e tyre dhe të domosdoshme për secilën ministri dhe institucion.
“Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisjen tonë. Për këtë qëllim, është e domosdoshme që secila ministri, secili institucion qeveritar, secili zyrtar publik të dijë se cili është roli dhe kontributi i tyre”.
“Prandaj, ne duhet të biem dakord për një kornizë më të gjerë, kornizën e planifikimit dhe menaxhimit strategjik, që ndihmon për të administruar politikat dhe shërbimet publike që do të na çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës. Strategjia Kombëtare për Zhvillim, përveç strategji që na shpie drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikë bërje të orientuar drejt rezultateve”.
Kurti shtoi se synimi është zhvillimi i qëndrueshëm pasi rritja ekonomike nuk mjafton në sjelljen e mirëqenies së qytetarëve.
“Dëshiroj të theksoj se synimi jonë është të kemi zhvillim të qëndrueshëm. Nuk mjafton vetëm të kemi rritje ekonomike. Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera”.
“Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm meriton të quhet zhvillim. Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë që nuk përjashton as njeri, që është gjithëpërfshirës, që ka demokracinë brenda meriton emërtimin zhvillim. Përndryshe, maskon diskriminime, maskon shtypje dhe shfrytëzim, maskon përjashtime të ndryshme”./Gazeta Enigma/