Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend. Ai në zyrën e tij në Qeveri e ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Gazeta “Enigma”.
Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.
“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.
Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.