Kurti takohet me kongresistin Keith Self, diskutojnë për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA

Kurti takohet me kongresistin Keith Self, diskutojnë për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self.

Takimi u mbajt në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.

Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA.

‘’Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje. Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm. Gjatë takimit, gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte,’’ thuhet në njoftim.

Kurti e ftoi kongresistin Self për një vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike.

Related Articles