Amerika ia ka bërë me dije Rusisë se nuk do të rrijë duarkryq, nëse kjo e dyta e mësyn Ukrainën.
E në këtë temë të rëndë të sigurisë të gjeopolitikës së botës u përfshi disi, mbase padashje, edhe Kosova.
U raportua se shtetit të vogël të juglindjes së Evropës mund t’i kërkohet ta japë kontributin e saj në anën e Amerikës ose NATO-s.
Kryeministri Albin Kurti, që është i mirë informuar për acarimet mes Rusisë dhe Ukrainës, në njëfarë forme i tha “Po” angazhimit potencial, ndonëse uron të mos ketë nevojë.
Angazhimi më i mundshëm i Kosovës është me forcën e saj të sigurisë.
Kryetarja në detyrë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kosova do të jetë kudo që janë forcat e NATO-s.
“Sipas kërkesave apo nevojës dhe mundësisë në rast se kërkohet nga Kosova, Kosova mbetet e përkushtuar në organizatat veri-atlantike dhe do të jetë aty ku do të jenë forcat e NATO-s. Gatishmëria e FSK-së është të jetë aty ku mbrohet paqja, demokracia dhe liria. Kapacitetet e FSK-së shkojnë konform standardeve të NATO-s dhe jo që do të ketë dallim, por ka edhe avancim”, tha ajo në Sytë 7 në Klan Kosova.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Bekë Berisha, që përfundimisht të mërkurën e nënshkroi projektligjin për dërgimin e FSK-së në misione të jashtme i tha Klan Kosovës se nuk do të përfshihet në tema të ndjeshme, si rasti i konfliktit të mundshëm Rusi-Ukrainë./Gazeta “Enigma”/