Kurti thotë se nuk ka shkëmbim territoresh: Nuk jemi në Mesjetë

Kurti thotë se nuk ka shkëmbim territoresh: Nuk jemi në Mesjetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë shkëmbime territoresh derisa shtoi se dëshiron që dialogu të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve.



Ai në një intervistë për median kroate “Veçernji list”, ka theksuar se është e natyrës së autokratëve që të mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishte pronë e tyre.

“Ne nuk jemi në Mesjetë, me monarkë që territoret e shtetit i konsiderojnë si tokë të baballarëve ose monarkëve, dhe popullin si familje të sundimtarit. Jemi republikë demokratike”.

Kurti potencoi se populli i Kosovës nuk e do shkëmbimin e territoreve teksa sipas tij këtë e do vetëm Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kjo është edhe arsyeja pse i kam fituar zgjedhjet sepse populli i Kosovës nuk do diçka të tillë. Mendoj që as serbët nuk e duan këtë vetëm Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e do”, është shprehur Kurti.

Kur pyetet pse Qeveria e Kosovës, e kundërshton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti thotë se atë që Serbia po synon t’ia imponojë rendit shtetëror dhe kushtetues të Kosovës nuk është dëshira dhe vullneti i serbëve të Kosovës por shprehje e aspiratave hegjemonike të Serbisë.

Ai thotë se asnjë serb nuk ka protestuar që asociacioni nuk është implementuar.

“Nuk do ta lejoj një gjë të tillë as në pozitë e as në opozitë”, shtoi ai.

Related Articles