Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi janë vëtëm dy prej emrave që partitë opozitare të deritanishme kanë thënë se do t’i votonin për kryeparlamentare nëse propozohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Për Albulena Haxhiun i kanë bërë të ditura arsyet, mes tyre, edhe ajo që e shohin si figurë jounifikuese.
Megjithatë, njëjtë si shumë zyrtarë të partisë së parë, edhe kryeministri në largim, Albin Kurti së fundi ka tentuar që këtë çështje ta lidhë me gjini.
Në një takim të grave të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pati etiketime të tjera për opozitën, që pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, i kishte quajtur “hajvanë”.
Kësaj radhe, ai tha se po përballen me “struktura hierarkike, patriarkale dhe të prapambetura”.
“Të nderuara delegate, më duhet të flas edhe për situatën politike në të cilën ndodhemi. Sepse kjo situatë reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale, të prapambetura. Përderisa ne si Qeveri angazhohemi për ditë qe grave t’ju besohen pozita të ndryshme udhëheqëse, deputetët e opozitës nuk po e bëjnë këtë në Kuvend.
Jo më larg se para dy ditëve, në mbledhjen e Qeverisë, emëruam tri gratë në pozita të larta drejtuese. Lufta kundër kryetarës së GVV-së, Albulena Haxhiu nuk është vetëm përplasje politike a partiake, por edhe përballje gjinore. Refuzimi për ta votuar atë si kryeaprlamentare tregon frikën që elitat patriarkale kanë nga gratë e guximshme që sfidojnë” – u shpreh kreu i VV-së.
Kurti tutje vijoi t’i përmend disa prej rasteve kur opozita ka votuar “më keq”:
“Gruaja që më së shumti e ka votuar populli i Kosovës, është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën, e bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votu Zajednicën, 10 deputetë që sot janë në opozitë, e kanë votuar amnestimin e kriminelëve serbë në veri, e bëjnë edhe 7 deputetë opozitarë që kanë votuar Gjykatën Speciale, dhe e bëjnë 15 deputetë opozitare që e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi.Këta deputet të papenduar, për këto katër votime kaq të këqija, nuk e votojnë Albulena Haxhiun.Politika prek thellë jetët tona, dhe kjo është betejë personale për çdo grua që kërkon të zë vendin e saj në një hapësirë të dominuar historikisht nga burrat”, u shpreh Kurti.
Theksojmë se propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar as në përpjekjen e kësaj të shtune.
Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 53 deputetë, kundër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën në orën 10:30.