Kryministri Albin Kurti ka folur rreth refuzimit që të shkojë në Prokurori për t’u intervistuar rreth rezervave shtetërore, duke akuzuar Prokurorinë për anashkalim të korrupsionit nga qeveritë e kaluara, raporton Gazeta Enigma.
“250 kallëzime penale ose kërkesa për hetim, i kemi bërë gjatë dy viteve të para të qeverisjes sonë. Asnjë aktakuzë nuk e ngriti Prokuroria, nga keqpërdorimet që i kemi gjetur kur kemi ardhë, si mund të bëhet fjalë për drejtësi më? Nga 250 kërkesa, një aktakuzë nuk e ngritën”, tha Kurti.
“E kur vjen puna për rezerva shtetërore, për 20 mijë euro ose është tharë një çikë gruri gjatë transportit, tek Rozeta Hajdari përditë aty Prokuroria, për 20 mijë euro. Është çmenduri për rezervatë shtetërore, është çmenduri. Ndërkohë që ne jemi të parët që bëjmë rezerva shtetërore”, deklaroi kandidati për kryeministër.
Ai tutje tha se guxon të i thotë ‘jo’ Prokurorisë, por se do ta shoh në vijim nëse ata guxojnë të vijnë tek Qeveria.
“E pse të shkoj? Le të vinë këtu ata. Unë guxoj të ju them Prokurorisë nuk vij, ta shoh ata a po guxojnë të vijnë. Ata kanë qenë më herët tek kryeministrat e mëhershëm, madje ata kanë qenë në situata shumë më të rënda, por tek unë nuk duan të vijnë. Pse? Sepse janë të lidhur me kryeministrat e mëhershëm”, u shpreh Kurti. /Gazeta Enigma