Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për RTV KIM ka folur edhe për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe për tokën e manastirit të Deçanit.
Ai është shprehur se çështja e statusit të Kishës është e përcaktuar me planin e Ahtisarit.
“Unë isha pjesë e ekipit që ndihmoi në zhvillimin e planit të Ahtisaarit, ne ishim shumë të fokusuar në të atëherë dhe mbetemi të fokusuar. Shtetet e Bashkuara dhe besoj se mund të flas në emër të partnerëve tanë, e ndjejnë shumë fuqishëm se Kosova duhet të jetë shumë etnike, shtet në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie, po ashtu besojmë se si pjesë e procesit të Ahtisaarit dhe gjërave tjera kemi obligimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me statusin e kishës. Ahtisaari i vendosi gjërat dhe Qeveria e Kosovës pastaj i zbaton ligjet që janë vërtetë mjaft të forta sa i përket mbrojtjes, kornizës ligjore dhe zonave të veçanta të mbrojtura për kishën dhe statusin e saj”, tha Hovenier.
Gjithashtu, ai është shprehur se çështja e pronësisë së manastirit të Deçanit është e thjeshtë.
“Mendoj se kemi qenë shumë të qartë, së bashku me partnerët tanë nga QUINT-i për këtë çështje. Ne besojmë se kjo është çështje e shtetit ligjor, është kaq e thjeshtë. Besojmë se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nga këndvështrimi ynë, siç e kemi kërkuar publikisht në të kaluarën, duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që duhet negociuar apo diskutuar në këtë moment, ndodhi, por gjykata vendosi. Në demokraci ju ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hovenier.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se duhet të ketë dialog që të zgjidhet çështja e Manastirit të Deçanit.
Një kërkesë të tillë Kurti e pati edhe gjatë javës së kaluar në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.