Juristja e të Drejtave të Mediave, Flutura Kusari ka reaguar sot ashpër kundrejt vendimeve të fundit të menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës, i cili sipas saj “po i shtyp” dhe “cenzuron” gazetarët e këtij mediumi, raporton Gazeta Enigma.
“Jam thellësisht e shqetësuar me shtypjen, tentim-cenzurimin dhe kontrollin që menaxhmenti i RTK-së po ia bën gazetarëve profesionistë dhe të pavarur të RTK-së. Menaxhmenti aktual është duke i ndjekë të njëjtat metoda që janë përdorë në Hungari, Poloni (përpara),Sllovaki etj me i frikësu gazetarët dhe me i detyru me iu nënshtru propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kusari.
Sipas saj “Një prej metodave kryesore është me i terrorizu gazetarët me procedura disiplinore dhe vendime të padrejta kinse për shkelje të rregullave. Një gjë e tillë ka ndodhë sot. Thellësisht e shqetësuar”.
Ndërkohë në media së fundmi u raportua për dy kërkesa që menaxhmenti i RTK-së i bëri gazetarëve të këtij mediumi. Siç u raportua, ata ia ndaluan gazetarëve që ta përdorin termin “Qeveri në detyrë”, kundrejt ekzekutivit aktual, si dhe i ndaluan atyre të reklamojnë cfardo produkti në rrjetet e tyre sociale.