Juristja e medias, Flutura Kusari, ka folur sërish për situatën në RTK, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo pretendon se veç pse e publikuan një deklaratë të shoqërisë civile lidhur me largimin e redaktorëve nga ekrani, autorët e lajmit janë dërguar në komision disiplinor.
“Besoni ose jo, menaxhmenti ka filluar procedurë disiplinore ndaj personave që e kanë përgatitur lajmin dhe që e kanë transmetuar, nën arsyetimin se nuk është transmetuar edhe qëndrimi i menaxhmentit. Fakti është që menaxhmenti nuk ka reaguar atë ditë”, thekson Kusari.
Ajo për cenzurën në RTK e fajëson LVV-në, e cila sipas saj po tenton “ta shkatërroj RTK-në”.
Postimi:
Vazhdon terrori politik i pushtetit dhe përpjekjet për cenzurë tek redaktorët dhe gazetarët e RTK-së
Pak herët këtë mëngjes, por kurrë nuk është shumë herët me tregu terrorin, presionin e pastër politik, censurën, fyerjen, denigrimin, poshtërimin, nënçmimin, frikën, intimidimin që menaxhmenti i RTK-së është duke e ushtruar ndaj redaktorëve dhe gazetarëve të pavarur dhe profesionalë të RTK-së.
Para 4 ditësh, AGK-ja e ka publikuar një deklaratë solidariteti me gjashtë redaktorët e RTK-së që janë larguar nga ekrani si pjesë e censurës dhe presionit politik (këtë deklaratë e kam nënshkru edhe unë). Kjo deklaratë është dhënë, me të drejtë, në edicionin e lajmeve në RTK.
Besoni ose jo, menaxhmenti ka filluar procedurë disiplinore ndaj personave që e kanë përgatitur lajmin dhe që e kanë transmetuar, nën arsyetimin se nuk është transmetuar edhe qëndrimi i menaxhmentit.
Fakti është që menaxhmenti nuk ka reaguar atë ditë!!!
Nëse menaxhmenti ka pritur që redaktorët dhe gazetarët të gërmojnë e të gjejnë deklarata të vjetra sa për balancim, kur vetë menaxhmenti e ka pasur mundësinë të reagojë, atëherë i bie që menaxhmenti është duke u frymëzuar tej mase nga stili i Viktor Orban në Hungari për mënyrën e menaxhimit të transmetuesit. Pushteti i tij e ka shkatërruar transmetuesin publik pikërisht me kësi metodash.
Këto procedura disiplinore jam duke i ndjekur me shumë vëmendje dhe do të ndaj me ju që jeni të interesuar të gjitha detajet.
Secili person që beson në integritetin e informacionit, në të drejtën tonë që të informohemi nga gazetarët dhe redaktorët dhe jo nga partia, duhet të shqetësohet tej mase për zhvillimet në RTK dhe denigrimin që po i ndodh çdo minutë.
Për këtë është përgjegjëse Lëvizja Vetëvendosje, e cila ia ka mësyrë me shkatërru RTK-në, me e gjunjëzu derisa ta vendosë nën kontroll absolut.