Kushtetuesja u jep deputetëve 30 ditë afat për ta konstituuar Kuvendin

Kushtetuesja u jep deputetëve 30 ditë afat për ta konstituuar Kuvendin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur aktgjykimin rreth krizës për konstituim të Kuvendit, duke i obliguar 120 deputetët që ta konstitujnë Kuvendin në 30 ditët e ardhshme, pas kërkesës së parashtruar nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit.

Sipas këtij aktgjykimi thuhet: “Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit”.

Në këtë aktgjykim, Gjykata ka vendosur njëzëri si vijon:

 – Kërkesa është shpallur e pranueshme;

 – Seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;

 – Deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit;

“Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij”, tha Gjykata Kushtetuese.

Aktgjykimin e plotë mund ta lexoni këtu.

Related Articles