Gjykata Kushtetuese është bërë sërish vendtakim mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo si shkak i procesit të emërimit të përfaqësuesve të rinj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar tre emra për dekretim nga presidentja Osmani.
Megjithatë, e para e vendit, për të mos i lënë hapësirë dyshimeve e akuzave, vendosi që këtë çështje ta dërgojë për interpretim tek Gjykata Kushtetuese, nëse lejohet apo jo kjo gjë, shkruan Gazeta Enigma.
Nga Presidenca fillimisht thanë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë sesa parashikohet me Kushtetutën e vendit dhe se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga gjykata më e lartë e vendit.
“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, u tha në komunikatë.
Si emërohen anëtarët e KQZ-së?
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.
Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi apo grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.
Ish-kryetari i KQZ-së, profesori i të drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën Enigma se neni 139 i Kushtetutës tregon qartë se nuk lejohen më shumë se dy kandidatë.
“Kjo është e përcaktuar qartë në nenin 139 të Kushtetutës. Aty është formula e saktë dhe e qartë. Pra thuhet se 6 anëtarë – nga 11 gjithsej – mund të zgjidhen nga partitë e mëdha shqiptare, të përfaqësuara në Parlament, tri nga komunitetet dhe një nga Gjykata Supreme, i cili mund të jetë kryesuesi, i zgjedhur nga Presidenti i vendit. Ka pasur kërkesa edhe më herët. Kërkesa e LVV-së është legjitime si e tillë, por pikërisht për këtë arsye mbase Presidentja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Baraliu.
Profesori universitar tha se duhet parë se çfarë thotë Gjykata Kushtetuese, “por mendoj se struktura e paraparë në nenin 139 është ajo që duhet të respektohet dhe nuk mund të shkohet më tepër, pa marrë parasysh se sa mund të ketë numër votash dikush.
“Aq më tepër kur një kërkesë e tillë është provuar më herët dhe është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese. Mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk do të veprojë ndryshe nga ajo siç ka vepruar më herët, pasi kjo do të ishte kontradiktore. Por do ta respektojë formulën e paraparë kushtetuese”, deklaroi Baraliu për “Enigmën”.
“Nuk ngopen me atë që kanë dhe dëshirojnë t’i marrin të gjitha”
Tutje Baraliu tha se pretendimet janë legale dhe legjitime, por se nuk do të duhej që për çdo gjë thjesht t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, dhe as nuk do të duhej që partitë politike të kenë ambicie të tepruara politike.
“Ose ato që nuk e kanë fituar me votën e popullit pushtetin po pretendojnë të rikthehen me metoda bllokuese, ose këta që e kanë fituar me kaq përqindje të lartë, që nuk është imagjinuar as nga përpiluesit e Kushtetutës, nuk ngopen me atë që kanë dhe dëshirojnë t’i marrin të gjitha, të kenë pa kufi potencial për të ndikuar në vendimmarrje të institucioneve”, tha në fund ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
“KQZ do të duhej të vendoste”
Njohësi i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, për Gazetën Enigma tha se një gjë e tillë do të duhej të përcaktohej nga vetë KQZ-ja dhe jo të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo vendoset brenda KQZ-së. Pra, KQZ-ja e ka për obligim që ta zbatojë ligjin për vetë institucionin. Përfaqësimi i partive politike është i përcaktuar me ligj. Kjo u dërgua në Kushtetuese për të bërë drama dhe telenovela. Sepse është detyrë e KQZ-së që të vendosë për këtë çështje, ndërkohë që më pas Presidentja i dekreton”, deklaroi Nrecaj.
Ai tha se nuk do të duhej që të dërgohen tre emra.
“Është dashur që të vazhdohet ashtu siç ka qenë, në mënyrë që të mos komplikohen gjërat”, u shpreh më tej Nrecaj. Sa kandidatë propozuan partitë e tjera? Derisa Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar tre, partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tregoi se e ka propozuar një kandidat.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj beson se i takojnë tre anëtarë, për shkak të numrit më të madh të deputetëve në Kuvend krahasuar me partitë e tjera.
“Presim që, në momentin që neve të na kërkohen komentet, t’i dërgojmë komentet tona në Gjykatën Kushtetuese. Por, besojmë se Lëvizjes i takon që kësaj radhe t’i ketë tre anëtarë në KQZ”, tha Nagavci.
Por, PDK-ja ngul këmbë se asaj i takojnë dy anëtarë dhe e kritikoi presidenten për “shkelje” të Kushtetutës duke mos ia emëruar kandidatin e dytë.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, tha në një konferencë për media se mos emërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ nga Osmani do të përbënte “cenim të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe zgjedhjeve”. /GAZETA ENIGMA
