“Kushtetuta e Kaçanikut s’ishte vetëm një akt juridik, por akt i madh rezistence”

“Kushtetuta e Kaçanikut s’ishte vetëm një akt juridik, por akt i madh rezistence”

Kkreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 35-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut tha se ajo nuk ishte vetëm një akt juridik, raporton Gazeta “Enigma”.

Abdixhiku tha se Kushtetuta e Kaçanikut ishte shprehja më e qartë e vullnetit të palëkundur të popullit tonë për liri.

“7 shtatori i vitit 1990 është një nga ditët më të shënuara të historisë sonë të re kombëtare. Është dita kur deputetët e Kosovës, me guxim dhe vendosmëri, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktin themelor të shtetësisë sonë, të njohur përjetësisht si Kushtetuta e Kaçanikut. Në kushte okupimi e shtypjeje serbe, kur dhuna dhe padrejtësia synonin të shuanin çdo ëndërr lirie, elita politike e kohës, e mbështetur në lëvizjen më të madhe demokratike, Lidhjen Demokratike të Kosovës ngriti themelet e institucioneve të para të shtetit të Kosovës”.

“Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte akt i madh rezistence dhe sfidë e hapur ndaj pushtimit. Ishte shprehja më e qartë e vullnetit të palëkundur të popullit tonë për liri, për barazi dhe për një të ardhme të pavarur e demokratike. Sot, rikujtojmë edhe deklaratën e Presidentit Ibrahim Rugova se “dita e 7 shtatorit të vitit 1990, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit”.

“Sot, në këtë 35 vjetor, përulemi me nderim para deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që me kurajo e sakrificë morën vendimin historik për Kushtetutën e Kaçanikut. Nderojmë po ashtu gratë e burrat që punuan ditë e natë për ta bërë realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi”, ka thënë ai.

Related Articles